Shuma rekorde që mund ta fitojë Joshua nëse e mposht Ruizin

Anthony Joshua pritet t’i fitojë 20 milionë euro nga debutimi i tij në SHBA, pasi do të përballet me Andy Ruizin, e që do ta dërgojë në 75 milionë fitimin nga pesë ndeshjet e fundit.

Kampioni i peshave të rënda filloi të fitonte shuma të majme qëkur kaloi në ring të arenave të mëdha, ndërsa shuma e fundit që kishte fituar ishte 18 milionë euro, gjersa e kishte mposhtur Alexander Povetkin në shtator të vitit të kaluar në Webley Stadium.

Joshua do ta fitojë shumën e parave falë marrëveshje me kompaninë televizive DAZN dhe Sky Sports, ndërsa të ardhurat e tjera nga përballja që do ta zhvillojë në Madison Square Garden.

Pamje nga konferenca e fundit (Foto: Sarah Stier/Getty Images/Guliver)

Shuma e parë e madhe që e fitoi boksieri britanik ishte 12 milionë euro, atëherë kur e mposhti Wladimir Klitschkon në një shikueshmëri prej 90 mijë tifozëve në prill të vitit 2017.

Joshua fitoi më pas 14 milionë euro kur e mposhti Carlos Tajam në Cardiff Principality Stadium, e që vazhdoi në 16 milionë pas përballjes me Joseph Parker në mars të vitit 2018.

Kampioni i boksit është njëri ndër sportistët më të paguar në Britaninë e Madhe, por që kishte filluar në boksin profesionist me 17 mijë funte (19 mijë euro) kundër Emanuele Leo në O2 Arsena në tetor të vitit 2013. /Telegrafi/