Viniciusi tregon pse e refuzoi Barcelonën, përkundër që i ofroi më shumë para

Ylli i ri i Real Madridit, Vinicius Junior, ka bërë të ditur se ai e kishte refuzuar gjatë verës një ofertë me pagë më të lartë nga Barcelona, pasi që i besonte më shumë projektit që kishin “Los Blancos”.

Braziliani 18-vjeçar u transferua te gjiganti i La Ligës dhe kampioni në fuqi i Evropës në maj të vitit 2017, mirëpo ky transferim u bë zyrtar në korrik të vitit të kaluar, transmeton Gazeta Express.

Viniciusi pretendon se Barcelona i kishte ofruar më shumë para, por vendimi i tij ishte bazuar në atë se si ndihej dhe në cilin projekt besonte më shumë.

“Babai im nuk më tregoi për asnjë interesim përveç Barcelonës dhe Real Madridit. Pastaj, ne i vizituam të dy klubet dhe na pëlqyen të dyja”, ka thënë Viniciusi në një intervistë për Cadena SER.

“Barcelona dëshironte të paguante më shumë, por ne dëshironim ta zgjedhim projektin më të mirë. Marcelo dhe Casemiro më folën dhe ata më ndihmuan të vendos.

Viniciusi pësoi një lëndim në kyçin e këmbës në fillim të këtij muaji dhe do të mbetet jashtë fushës deri në maj të këtij viti.